Pas zbulimit të 125 rrënjëve kanabis të mbjella brenda territorit të repartit ushtarak në Zall Herr, Ministria e Mbrojtjes ka vepruar me “dorë të hekurt”.

Ministri Niko Peleshi ka firmosur lirimin nga detyra të katër ushtarakëve, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Gjithashtu në vazhdën e kësaj është propozuar lirimi nga detyra edhe për dhjetë ushtarakë të tjerë.

Po ashtu është larguar nga puna eksperti i ekzaminimeve kompjuterike, ndërsa paralajmërim ka marrë edhe drejtuesi i Sektorit të Policisë Kriminale në Policinë Ushtarake. Për këtë ngjarje janë arrestuar 3 ushtarakë dhe 4 të tjerë po hetohen për shpërdorim detyre në gjendje të lirë.

Rrënjët e kanabisit janë zbuluar nga avioni i Guardia di Finanza që monitoron territorin shqiptar. Bimët ishin rritur dhe janë pikasur menjëherë nga pajisjet e italianëve që kanë sinjalizuar policinë shqiptare.