Policia ka arrestuar dy të rinj në Tiranë, pasi u kapën me një pako që përmbante mbi 1 kilogram drogë të llojit Cannabis Sativa, me përqindje të lartë THC, që ishte dërguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dy të rinjtë, 24 dhe 22 vjeç, u kapën në një degë postare në Vorë, sapo kishin marrë pakon me drogë, e cila dyshohet se ishte sjellë për t’u shitur në Shqipëri.
Njoftimi:
Në vijim të aksioneve policore intensive,me fokus goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, nga ShBA, me qëllim shitjen në vendin tonë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare,finalizoi operacionin “Pako 5”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit K. Q.,24 vjeç dhe D. H.,22 vjeç,të dy banues në Tiranë.
Ata u kapën në flagrancë,menjëherë pasi morën në një degë postare në Vorë, një pako me 1 kg e 52 g Cannabis me përqindje të lartë THC, të trafikuar nga ShBA, me qëllim shitjen në Shqipëri.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
