Një grup i strukturuar kriminal i trafikut të drogës, që operonte mes Shqipërisë dhe Amerikës së Jugut, është goditur nga autoritetet italiane, gjatë një operacioni të koordinuar ndërkombëtar.

Bëhet me dije se ky grup kriminal trafikonte heroinën nga Shqipëria dhe nga Amerika e Jugut transportonin kokainën.

Hetimi, i kryer nga DDA Brescia dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm si dhe Eurojust, ka çuar në arrestimin e 10 anëtarëve të bandës dhe sekuestrimin e një sasie të madhe droge dhe aseteve.

Autoritetet italiane kanë lëshuar gjithsej 24 masa arresti, 9 prej të cilave ishin “arrest në burg”. Nga operacioni janë konfiskuar mbi 550,000 euro në para të gatshme, 10 automjete, një pistoletë gjysmëautomatike dhe 130 kilogramë drogë, përfshirë heroinë dhe kokainë, të gjitha gati 3 milionë euro.

Drogërat, sipas hetimeve, vinin nga Shqipëria dhe Amerika e Jugut, dhe trafiku i tyre kalonte përmes territoreve të ndryshme në Europë. Sekuestrimi i pasurive dhe dënimi i anëtarëve të këtij grupi kriminal paraqesin një goditje të fortë për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe lidhjet e tij me rrjetet kriminale në Europë.