Një 28-vjeçar është arrestuar në Shkodër në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Reaction”, pasi dyshohet se posedonte lëndë narkotike të përgatitur për shitje.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi rreth 1.5 kilogramë Cannabis Sativa, si dhe automjetin, një celular, peshore elektronike dhe pajisje për paketimin e lëndës narkotike.

“SHKODËR/Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Reaction”. Goditet një rast i tentativës për shitje të kanabisit në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.

Arrestohet në flagrancë një 28-vjeçar që posedonte lëndë narkotike gati për shitje.

Sekuestrohen rreth 1.5 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë në formë xhelatinoze, një automjet, një aparat celular, peshore elektronike dhe pajisje për paketim me vakum.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar në rrugë operative, për një shtetas që dyshohej se merrej me veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Reaction”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi E. Z., 28 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas u kap në flagrancë duke drejtuar automjetin e tij, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjet dhe u sekuestrua një sasi tjetër lënde bimore e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e ndarë në doza dhe e gatshme për tregtim.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 28-vjeçari e siguronte lëndën narkotike me qëllim shitjen e saj, kryesisht në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, shkruan policia.

Top Channel