Një drogë sintetike e kamufluar në formë karamelesh, është zbuluar nga policia në Durrës, pas një hetimi që çoi në zbulimin e një rrjeti shpërndarjeje pranë shkollave të mesme.
Sipas hetimeve, lënda narkotike ishte përgatitur në një laborator në Tiranë dhe shpërndahej në qytetin bregdetar, duke u maskuar si karamele për të shmangur vëmendjen e autoriteteve dhe për të tërhequr të rinjtë.
Operacioni policor i koduar “Shija e hidhur” çoi në arrestimin e dy vëllezërve, Ledio Lemeti dhe Rubin Lemeti, përkatësisht 20 dhe 25 vjeç, me origjinë nga Kavajë dhe banim në kryeqytet. Një tjetër bashkëpunëtor 20-vjeçar është shpallur në kërkim.
Sipas policisë, të rinjtë kishin ngritur një laborator të mirëfilltë për përpunimin e lëndëve narkotike, duke prodhuar drogë sintetike në formë xhelatine. Gjatë kontrollit në banesë, u sekuestruan sasi droge në formë karamelesh, kanabis, rreth 550 gramë material sintetik të gatshëm për prodhim, si dhe pajisje si peshore elektronike, kallëpe plastike dhe përbërës të ndryshëm kimikë.
Në total, policia bllokoi 50 paketime me drogë sintetike me peshë rreth 650 gramë.
Autoritetet dyshojnë se rrjeti i prodhimit dhe shpërndarjes mund të jetë më i gjerë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
