Zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka reaguar për herë të parë në Kuvend në lidhje me hetimin që po zhvillohet nga SPAK (Prokuroria e Posaçme) ndaj saj. Gjatë fjalës së saj, Balluku ka theksuar se nuk do të flasë më tej për çështjen, derisa drejtësia të japë vendimin përfundimtar.

Përveç kësaj, ajo ka kritikuar opozitën, duke e akuzuar se ajo mban dy standarte kur vjen fjala për SPAK. Sipas saj, kjo është një situatë ku opozita kërkon të mbrojë individë të caktuar, ndërsa në raste të tjera përdor SPAK-un për qëllime politike.

Në momentin që Balluku mori fjalën, deputetët e opozitës braktisën sallën, duke lënë të nënkuptohet një protestë ndaj fjalës së saj. Megjithatë, ministrja iu drejtua atyre duke i bërë me dije se nuk është e drejtë që të përdoren standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Përballë këtyre zhvillimeve, Balluku theksoi se, si çdo qytetar, ajo është e angazhuar për të bashkëpunuar me autoritetet dhe se nuk do të bëjë komentime apo spekulime për hetimin, derisa SPAK të përmbyllë procesin hetimor.

Balluku: Dëshiroj të them disa fjalë qytetarëve që ua kam borxh qytetarëve që më kanë besuar përfaqësuar. Duhet të them disa fjalë jo për aludimet gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtra të thëna me bollëk. Nuk do dëgjoni kurrë nga unë akuza  dhe sharje për drejtësinë e re, as kur prekem personalisht. Besoj se kjo drejtësi e re është produkt i vullnetit politik të PS, është duke kryer detyrën. 

Nuk do më dëgjoni kurrë të merremi me prokurorë e gjyqtarë. Nuk do prononcohem për çështje nën hetim. Derisa e vërteta të marrë formë të prerë, cilado qoftë ajo. Unë dhe kolegët e PS mbështesim reformën në drejtësi, edhe kur prekemi personalisht.  Ajo reformë ka marrë mbështetjen e çdo socialisti ndaj nuk kam asnjë koment. Çështja qëndron se ju të nderuar opozitarë që më ndiqni nga kafja e parlamentit në këto momente, keni dy standarde për reformën në drejtësi dhe SPAK. Kur SPAK thërret Saliu dhe luani kukafshehthi me zarfin. Zarfin që pret populli shqiptar për drejtësi për vrasje shtetërore, atëherë SPAK ndikohet nga Rama.