Deputeti i PD, Gazment Bardhi ka folur jashtë Kuvendit pas tensioneve në seancë.

Ai ka akuzuar mazhorancën se do të kalojë pa debat, pa pyetje dhe pa llogaridhënie raportimet e institucioneve të drejtësisë në Komisionin e Ligjeve. Sipas Bardhit, kjo u vërtetua dhe nga disa mesazhe që sipas tij, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dërgoi gabimisht në grupin e “Whatsapp” të Konferencës së Kryetarëve në Kuvend.

“Duan të kalojnë pa debat, pa pyetje dhe pa llogaridhënie raportimet e institucioneve të drejtësisë. Donin të vendosnin një standard të ri që nuk ka ndodhur kurrë, që institucione të vijnë dhe të raportojnë dhe deputet nuk kanë të drejtë të japim pyetjet që kanë për institucionet, ndaj dhe ne reaguam dhe do reagojmë gjithmonë.

Skenari i përjashtimit të opozitës nga seanca ishte ndërtuar shumë kohë më para se Niko Klouni të dilte ta shpallte në seancë. Gabimisht, Taulant Balla, në vend që të shkruante tek Grupi i PS, shkruan te Grupi i Konferencës së Kryetarëve në Kuvend, dhe urdhëron të gjithë drejtuesit e institucioneve të veta, që të kujdesen për të sjellë në sallë deputetët e PS.

Sepse skenari ishte ndërtuar që të ndërprisnin debatin. Nuk duan debat për paratë që i kanë vjedhur si një bandë kriminale me inceneratorët dhe duan ta shndërrojnë Kuvendin në memec. Ta harrojnë se mund të na nënshtrojnë ne dhe të shkelin rregulloren. Ta marrë vesh bota që ky është Kuvendi i Shqipërisë, që synon të hyjë në BE.”– tha Bardhi.