Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që prej ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe disa qytete të vendit kundër projektit të Zvërnecit, duke i cilësuar ato si “çorba” dhe “spekulime”.

Në podcastin e tij “Flasim”, Rama deklaroi se projekti do të vijojë pavarësisht kundërshtimeve, duke theksuar se sipas tij, banorët e zonës janë pro zhvillimit të planifikuar.

Kreu i qeverisë kritikoi gjithashtu protestat dhe reagimet publike, duke i lidhur ato me interesa të ndryshme dhe perceptime të gabuara për projektin.

Sipas Ramës, Shqipëria ka bërë progres në mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe zhvillimin e turizmit, ndërsa projektet e reja në zonat bregdetare janë pjesë e strategjisë ekonomike të vendit.

Ai shtoi se takimi i tij me banorët e Zvërnecit ka treguar, sipas tij, mbështetje për investimin dhe shqetësime të natyrës pronësore, por jo kundërshtim ndaj projektit.

Rama paralajmëroi gjithashtu se, sipas tij, protestat dhe “rrëmuja në rrjetet sociale” mund të ndikojnë negativisht në turizëm dhe imazhin e vendit, duke shtuar se projekti në Zvërnec do të realizohet si një “kapërcim i madh për ekonominë dhe turizmin shqiptar”.