Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi ishte i ftuar sot në emisionin “Breaking” në Top News, ku ka folur në lidhje me zgjedhjet që pritet të mbahen në Tiranë dhe 5 bashki të tjera.
Sipas Murrizit, Jorida Tabaku është kandidatja e duhur që PD duhet të zgjedhe përballë Ogerta Manastirliut, si demokratja më e votuar në zgjedhjet e fundit. Ai tha se edhe nëse ajo nuk e pranon, duhet të detyrohet për t’u shërbyer demokratëve.
“Për mua duhet të ishte kandidate për Tiranën Jorida Tabaku. Ajo është demokratja më e votuar. Edhe nëse nuk do duhet të detyrohet për t’u shërbyer demokratëve. Nuk bëhet me kandidat jo politik. Nëse këta nuk duan kandidat politik, të na thonë arsyen sepse duhet dhënë llogari. Mendoj se është interesi i tyre personal. Kandidati duhet të jetë një person që e njohin demokratët dhe që ka histori brenda demokratëve. Një kandidat jopolitik nuk e votoj kurrë unë dhe as mbështetësit tanë. PD ka plot emra që t’i vendosë si kandidatë, kanë histori brenda PD-së, ish-studentë të dhjetorit.”-tha Murrizi.