Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish protestat që kanë hyrë në ditën e 15-të, duke u ndalur te klima e krijuar rreth tyre dhe sjellja e një pjese të protestuesve.
Në episodin e sotëm të podkastit “Flasim”, kreu i qeverisë u shpreh se një pjesë e kësaj fryme proteste karakterizohet nga presioni dhe kërcënimet ndaj personave që kanë mendime të ndryshme.
Sipas Ramës, ka individë që nuk pranojnë debat apo qëndrime ndryshe dhe ushtrojnë trysni ndaj kujtdo që nuk ndan të njëjtin qëndrim me ta.
Kryeministri përdori edhe tone të ashpra, duke i cilësuar disa prej këtyre personave si “hajvanë”, ndërsa ritheksoi kritikat e tij ndaj mënyrës se si, sipas tij, po zhvillohet një pjesë e reagimit publik ndaj çështjes së Zvërnecit dhe protestave në vend.
“Fryma fashiste nuk ka nevojë për uniforma dhe për armë. Fryma fashiste është fryma që thotë: “Shqipëria është e shqiptarëve”, pra, të gjithë të tjerët jashtë nuk janë të mirëseardhur. Siç ishte Gjermania e gjermanëve dhe u bë “delja e zezë” e Europës për vite, vite të tëra pastaj. “Greqia është e grekëve”, thoshin këta hajvanët e Agimit të Artë, që u bënë një problem për Greqinë, e të tjera, e të tjera, e të tjera.
Fryma fashiste është kur ti thua: “Unë dua të flas, unë dua të them atë që mendoj, unë dua të protestoj, unë dua të rri në bulevard”, po unë nuk dua dhe nuk pranoj që të tjerët të kenë një opinion apo një qëndrim tjetër.”, tha Rama ku shtoi “Është e patolerueshme që një grup njerëzish, që një forcë njerëzish, që një parti apo një konglomeratë partish, apo që nuk e di, quani si të doni, t’i imponohet pjesës tjetër, duke i thënë që: “O do mendosh kështu si unë, o unë do të sakatoj, do të të bullizoj, do të të kërcënoj”. Kjo është fashiste, është skandaloze dhe kjo duhet ndalur. Dhe kjo ndalet duke mos u tërhequr përpara këtyre lloj presioneve dhe përpara këtyre lloji hajvanëve. Kjo duhet ndalur”.
