Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, një nga zërat më kritikë dhe aktivë brenda opozitës, ka komentuar zhvillimet e fundit në PD dhe sfidat elektorale që e presin këtë forcë politike, sidomos në bashki të mëdha si Tirana. I ftuar në emisionin Breaking në Top News ai trajtoi çështjet kryesore të politikës aktuale.

Salianji vlerëson se në përballje ku kundërshtari politik, si në rastin e Tiranës, vjen me një figurë të rëndësishme dhe të konsoliduar, Partia Demokratike duhet të përgjigjet me një kandidat të të njëjtit nivel politik. Megjithatë, duke marrë parasysh situatën aktuale në PD, ai thekson se zgjedhja më e arsyeshme është një figurë përbashkuese, që mund të bashkojë demokratët dhe të krijojë besim të gjerë tek elektorati.

Sa i përket dorëheqjes së kryetarit të partisë pas humbjes në zgjedhje, Salianji e cilëson këtë si një akt parimor dhe të domosdoshëm në një demokraci funksionale. Por në rastin konkret të Sali Berishës, ai nënvizon se situata është më e komplikuar, duke lënë të kuptohet se ka rrethana që mund të justifikojnë moszbatimin e këtij parimi në mënyrë të menjëhershme.

Gjithashtu, Salianji ka nënvizuar se Partia Demokratike ka nevojë për një riorganizim të thellë dhe të plotë, që duhet të nisë nga strukturat më të ulëta seksionet dhe grupseksionet e deri në drejtimin qendror. Sipas tij, ky proces duhet të përfshijë të gjithë, përfshirë edhe vetë Berishën, i cili ka shprehur gatishmërinë për të hyrë në garë pas përfundimit të mandatit aktual në krye të PD.

“Mendoj se në gara të forta, si ajo për Bashkinë e Tiranës, të paktën nga këndvështrimi i strukturës, duhej të kishim një kandidat me profil të lartë. Konteksti në të cilin ndodhet shoqëria, por edhe kushtëzimi nga partitë e tjera, bëjnë që të kemi profile kandidatësh që janë përtej profilit klasik politik.

Parimi në demokraci është që elita ndryshohet kush nuk arrin fitoren, zëvendësohet. Ky është një parim dhe nuk ka nevojë të jetë i shkruar si nen; është një normë e pashkruar ligjore.

Por diskutimi është që në Shqipëri nuk kemi demokraci funksionale dhe nuk zhvillohen zgjedhje të ndershme. Në këto kushte, është e nevojshme që të kemi një kryetar që të denoncojë parregullsitë në zgjedhje. Në këtë moment, kjo është një zgjidhje e drejtë.”, tha Salianji.