Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, ishte i pari që mori fjalën në protestën e PD, në sheshin para kryeministrisë. Gjatë fjalës së tij, Boçi hodhi akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se e ka kthyer shtetin në pronë private dhe qeverinë në klub të mbyllur qejfi dhe ahengu. Demokrati theksoi se shembja e kësaj qeverie është detyrë para historisë, para gjithë qytetarëve dhe para gjithë shqiptarëve.

“Sot nuk jemi mbledhur për spektakël politik. Nuk jemi mbledhur sot as për t’u parë me urrejtje nga perdet dhe dritaret e frikës së pushtetit. Të dashur miq, ne jemi këtu sepse ne vlerësojmë jetën, ne jemi këtu sepse na ka thirrur dashuria e familjes, adhurimi për zotin dhe kombin, na ka thirrur dinjiteti ynë, rezistenca, shpirti dhe zemra opozitare. Ne jemi thirrur këtu nga guximi dhe detyra jonë për të luftuar deri në fund. Ne jemi këtu sepse Shqipëria jonë nuk e duron më faktin të drejtohet nga një njeri, i cili e ka kthyer shtetin në pronë private.

E ka kthyer qeverinë në klub të mbyllur qejfi e  ahengu. kjo ndërtesa që kemi në krah, nuk është Kryeministria e shtetit. Pas atyre blindave që duhet t’i shembim me çdo kusht, nuk është pushteti, por frika e pushtetit. Ne duhet ta shembim këtë qeveri. Shembja e tyre është detyrë para historisë, është detyrë para gjithë qytetarëve dhe para gjithë shqiptarëve. Prandaj jemi sot këtu, me një numër kaq të madh protestuesish”, tha Boçi