Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka folur mbrëmjen e sotme edhe lidhur me operacionin “Ura” ku u lëshuan 52 urdhërarreste me urdhër të SPAK.
Berisha deklaroi se kryeprokurori Altin Dumani “e mbajti në xhep” 22 ditë dosjen “Ura”. Ai tha më tej se të gjitha ata që kishin urdhërarreste arritën të largohen nga vendi dhe se vetëm 11 persona u prangosën.
“Dikush më thotë, por duhet vërtetuar kjo, se urdhërarrestet që vijnë nga jashtë, masat zbatohen dhe pastaj përkthehet dosja. Por, edhe po të kërkonte përkthim, sot përkthehet shpejt me inteligjencë artificiale. Ndërsa Altin Dumani e mbajti në xhep 22 ditë. Nuk e ekzekutoi. I shkoi në 30 prill nga Irena Gjoka dhe e ekzekutoi në 21 maj. Dhe faktikisht, të gjithë ata u larguan përveç njërit. Vetëm 11 janë arrestuar nga 52 urdhërarreste dhe asnjëri prej të arrestuarve nuk është drejtues karteli”, tha Berisha.
Sipas Berishës, zgjedhjet si një garë e hapur shndërrohen në farsë në çdo vend dhe çdo rast kur shteti shndërrohet në “shtet elektoral”. Ai akuzoi Ramën se po shtyp pluralizmin duke përdorur institucionet.
“Kur shteti me administratë 200 mijë vetë, që ka 8 miliardë buxhet, që ka dhjetëra mijëra zyra… nëse mobilizon të gjithë këto potenciale për garë, garë nuk ka. 11 dië para datës së votimit, në Valencia 82 parti politike votuan një rezolutë ku shprehen se Edi Rama po shtyp pluralizmin duke përdorur institucionet, ka kapur drejtësinë, po blen vota me lekë, po blen vota me kanabis. Rezolutat kishin vlerë se sensibilizuan komunitetin ndërkombëtar. Vetë komuniteti ndërkombëtar ka pasur vëzhguesit e tij. Ne arritëm që ta bënim këtë farsë elektorale si farsë të paralajmëruar”, shtoi më tej Berisha.
