Një kazino është grabitur në Durrës, ndërsa policia ka arrestuar si autor të dyshuar një 51 vjeçar. Pas mesnatës, në orët e para të ditës së premte, në lagjen nr.3 të qytetit, te kazino “Admiral”, është kryer një vjedhje me armë. Një person i dënuar disa herë për vjedhje është arrestuar nga policia e Durrësit dhe bashkë me të është sekuestruar një sasi objektesh që përdoreshin nga 51-vjeçari për veprimtarinë kriminale të tij. Shërbimet e strukturës për vjedhjet me dhunë dhe armë deklarohet se punuan intensivisht në drejtim të hetimit të këtij rasti, duke shkuar drejt identifikimit të autorit të dyshuar të ngjarjes. “Në orën 08.00 të ditës së premte, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Ferdinand Verteniku, 51 vjeç, lindur e banues në Durrës, i dënuar disa herë më parë për vjedhje”, raportoi zyrtarisht policia. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se i arrestuari, rreth orës 02:00 ka hyrë në kazino dhe i maskuar e nën kërcënimin e një arme zjarri të llojit pistoletë i ka marrë punonjësit të kazinosë shumën prej 30.000 lekë të rinj. Pas identifikimit të Veternikut, si autor i dyshuar i ngjarjes, u ushtrua një kontroll në banesën e tij, gjatë së cilit u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale një jelek antiplumb, 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, një paruke, doreza dhe një maskë e cila dyshohet të jetë përdorur gjatë grabitjes. Hetimet e mëtejshme mbi vjedhjen me dhunë të radhës në Durrës po kryhen nga organi i akuzës durrsake.
v.q