Mungojnë tualetet publike, shtohet risku i ndotjes detare dhe infeksioneve
Nga Gjiri i Lalëzit në veri deri te Përroi i Agait në Jug bregdeti i Adriatikut që ndodhet nën juridiksionin e rrethit të Durrësit ka numër të kufizuar tualetesh publike që shtojnë ndjeshëm riskun për ndotje detare dhe infeksione. Situatë e njëjtë paraqitet edhe në Golem e në Malin e Robit. Ndonëse aktualisht përqendrimi mikrobial i ujit të detit rezulton në parametra normalë në shumicën e plazheve, afrimi i pikut të sezonit e bën kritike situatën në këto kushte. Drejtues të shëndetësisë në Durrës paralajmërojnë për plazhet e ndotura në këtë fillim të sezonit turistik në bregdetin e Adriatikut, ndërsa apelojnë për marrjen e masave nga pushteti vendor dhe operatorët turistikë për të vënë në funksionim tualetet publike dhe shmangien e derdhjes së ujërave të zeza në det. Vasil Ziu, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë Durrës deklaron se plazhet e ndotura janë ato të Porto Romanos ku derdhet kolektori i ujërave të zeza të qytetit, ujëra këto që janë të papërpunuara. Këto zona nuk duhet të frekuentohen nga pushuesit. Ndërkaq Gjiri i Lalëzit, Juba, Rrushkulli, Sektori Rinia ofrojnë plazhet më të pastra. Kreu i shëndetësisë apelon për marrjen e masave nga pushteti vendor dhe operatorët turistikë për të vënë në funksionim tualetet publike gjatë periudhës më të frekuentuar të sezonit nga pushuesit, ndërkohë që raporton se plazhi i Currilave, një nga plazhet më problematikë për sa i përket ndotjes detare, me ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve ka dalë nga lista e zezë. Analizat dhe kontrollet për ndotjen detare pritet të intensifikohen edhe më shumë pas bashkëpunimit me struktura të tjera shtetërore për të mundësuar një sezon të mbarë turistik dhe për ti mbajtur pushuesit larg problemeve. Vëmendje e veçantë do ti kushtohet gjatë këtij sezoni dhe ndotjes akustike, ku për herë të parë niveli i kësaj ndotjeje do të matet me tonometër nga inspektorët lokalë.
Ishmi
Dikur zonë bregdetare e militarizuar, tashmë Gjiri i Lalëzit ofron disa prej plazheve më të bukura të bregdetit të Adriatikut, por në të nuk mungojnë edhe zonat problematike, veçanërisht në gryk derdhjen e lumenjve. Blendi Klosi, deputet i partisë socialiste në qytetin e Durrësit i bën apel qeverisë për të ndërhyrë në pastrimin e gryk derdhjes së lumit Ishëm, konkretisht në Likmetaj, ku si pasojë e ndotjes mjedisore po regjistrohet një katastrofë ekologjike. Pak muaj më parë kjo zonë përjetoi një situatë emergjence kur në morinë e ndotjes së plastifikuar që ka krijuar një dendësi të madhe mbi ujë humbën jetën dy të rinj, trupat e të cilëve u gjetën me shumë vështirësi, për shkak se kishin ngecur në këtë masiv ndotjeje.
V.Qyrfyçi
Shqetësimi – Bregdeti i Adriatikut ka numër të kufizuar tualetesh publike që shtojnë ndjeshëm riskun për ndotje detare dhe infeksione
Lista e “zezë” – Plazhet e ndotura janë ato të Porto Romanos ku derdhet kolektori i ujërave të zeza të qytetit, ujëra këto që janë të papërpunuara
Pastërtia – Ndërkaq Gjiri i Lalëzit, Juba, Rrushkulli, Sektori Rinia ofrojnë plazhet më të pastra të këtij bregdeti
Sezoni
Rrobebanjot e lagura, transmetuesit e viruseve
Infeksionet në traktin urogjenital tek femrat në periudhën e pushimeve verore shtohen ndjeshëm, pasi mikroorganizmat që e shkaktojnë goditen nga i nxehtit dhe lagështia. Rrobebanjot e lagura dhe peshqirët janë transmetuesit kryesorë të baktereve dhe viruseve. Vatër infeksionesh janë dhe tualetet publike apo dhomat e zhveshjes nëpër pishina dhe plazhe, pasi në to qarkullon një numër i madh njerëzish. Shumica e vajzave dhe grave, pas përfundimit të plazhit i drejtohen gjinekologëve, pasi vuajnë nga shqetësime të ndryshme. Gjinekologia në Maternitetin “Koço Gliozheni”, Mirela Rista tha se infeksioni më i përhapur është ai që në gjuhën e përditshme njihet me emrin myk. “Femrat duhet të bëjnë kujdes me higjenën e tyre personale. Duhet të mbajnë e të përdorin vetëm peshqirët e tyre personalë, jo peshqirë që janë përdorur ditë pas dite. Edhe vetë lagështia që kanë rrobat e banjës sa herë që hyjnë e dalin në det apo në pishinë, momenti i tharjes së tyre në trup ndikon në shtimin e baktereve apo të mukozave vaginale”, sqaroi Rista.