Dy persona janë vënë nën hetim nga policia e Durrësit pasi janë kapur në port me shuma të padeklaruara parash. Burimet policore lokale deklaruan se një shtetasi 44-vjeçar nga Peja e Kosovës, po me banim në Laprakë iu kap gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij “tip Mercedes Benz” me targa AA949DT, plot 170 mijë euro, kartëmonedha të prerjeve 5, 10 dhe 20 €, të padeklaruara prej tij. Brenda një harku të shkurtër kohor nga kontrolli në një tjetër automjet u gjet një tjetër sasi parash të padeklaruara.
Në kohën kur po kthehej nga Italia me një nga tragetet e linjës Bari-Durrës, një 33-vjeçari nga Kukësi iu gjet nga shërbimet e Policisë Kufitare në vijën e dytë, në automjetin furgon tip “Mercedes Benz” me targa DK55FTV, një sasi prej rreth 10.000 Euro dhe 20.000 Paund, në kartëmonedha të prerjeve 50, 20 paund anglez dhe 50 Euro, të cilat nuk ishin deklaruar nga ana e tij pranë autoriteteve. Kartëmonedhat u gjetën të fshehura në një kovë boje që ndodhej mes bagazheve personale.
2 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)