Të arrestuarit mohojnë përfshirjen në vrasjen e porositur


vrasesit me pageseTre vrasësit e dyshuar me pagesë dolën dje para Gjykatës së Durrësit, për t’u njohur me masën e sigurisë. Ata janë lënë me masën e arrestit burg pa afat, ndërsa dyshohen për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake. Në seancë, të arrestuarit kanë mohuar faktin se janë të përfshirë në veprat penale, për të cilat dyshohen, por në bazë të veprimeve procedurale të deritanishme janë siguruar elemente të mjaftueshme për të vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg”.


Sipas prokurorisë, në datën 19 janar 2016, prokuroria ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të shtetasve Dritan Nikolli, Gazmend Dervishi dhe Bruno Shehu. Fakti penal lidhet me ngjarjen e datës 19 janar 2016, kur rreth orës 10:00, në fshatin Maminas, e konkretisht pranë pikës së prodhimit të materialeve plastike në pronësi të shtetasit R.F., shërbimet e policisë së Komisariatit të Policisë Shijak kanë konstatuar tre të dyshuarit, duke udhëtuar me automjetin e markës “Mercedes Benz”, tip C Class, me targë HTB564. Në kohën që u është bërë thirrje për të ndaluar, këta shtetas kanë braktisur automjetin e tyre dhe kanë tentuar që të largohen. Ata janë ndjekur dhe janë kapur më pas në flagrancë në oborrin e banesës së një shtetasi.


Gjatë këqyrjes së automjetit, me të cilin po udhëtonin këta persona, janë gjetur një armë zjarri, e tipit kallashnikov, dy krehra automatiku, njëri me 28 fishekë, ndërsa tjetri me 20 fishekë, tri maska fytyre, tri qese dorezash plastike të hapura, disa palë doreza plastike dhe një palë doreza leshi, dy bidonë plastikë me nga 1.5 l benzinë. Gjatë këqyrjes së oborrit të banesës së shtetasit S.M., u gjetën dy aparate celularë të markës “Blackberry” dhe “Nokia”, një kapuç leshi me ngjyrë ulliri, i mbyllur me hapje në pjesën e syve, një kapuç i zi, i mbyllur me hapje në pjesën e syve, dy palë doreza plastike me ngjyrë verdhë e blu. Në vazhdim të veprimeve të para hetimore të ngutshme, është kryer kontrolli i banesës së shtetasit Bruno Shehu, gjatë të cilit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri e tipit pistoletë e kalibrit 9 mm, me gjashtë fishekë.


Nga ana e policisë, janë pyetur si persona ndaj të cilëve zhvillohen hetime tre të dyshuarit, të cilët kanë dhënë shpjegimet përkatëse. Konkretisht, nga deklarimet e tyre, shtetasit Dritan Nikolli, Gazmend Dervishi dhe Bruno Shehu shprehin pak a shumë të njëjtat rrethana. Sipas tyre, ditën e ngjarjes janë takuar në pikën e karburantit IP, në lagjen nr. 14 Shkozet dhe më pas janë nisur të dy me automjetin e markës “Volsvagen Golf 4”, me ngjyrë të zezë me targë AAxxx, për te fabrika e prodhimit të peletit që ndodhet në Maminas. Kur kanë mbërritur aty, kanë dëgjuar të shtëna dhe kanë parë disa automjete e punonjës policie dhe nga frika janë larguar disa metra nga rruga dhe janë afruar pranë disa shtëpive në këmbë. Ata kanë mohuar që të kenë qenë duke udhëtuar së bashku me shtetasin Gazmend Dervishi, me automjetin e ndaluar nga policia. Ata shprehen se nuk ka dijeni se kujt i përket ky automjet. Nga ana e policisë gjyqësore, janë kryer veprimet e nevojshme procedurale, nga ka rezultuar se tre të dyshuarit kanë qenë duke udhëtuar me automjetin e mësipërm të sekuestruar nga policia gjyqësore. Nga kryerja e hetimeve të deritanishme, si dhe nga informacionet e mbledhura prej policisë gjyqësore, ka të dhëna të arsyeshme të bazuara në prova, se tre të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë qenë duke kryer veprime të drejtpërdrejta për kryerjen e vrasjes me paramendim, me përdorimin e armëve luftarake.