Efektivat e Komisariatit të Policisë Durrës finalizuan me sukses operacionin e koduar “Shëtitësit”, duke arrestuar dy persona për veprën penale të vjedhjes me dhunë, kryer në bashkëpunim. Në pranga kanë rënë Ledio Copa 23 vjeç dhe Abdul Tusha 22 vjeç, banues në Durrës.
Ndalimi i tyre u bë pasi me 29 gusht të 2015, në lagjen Nr. 13., Durrës, i kanë vjedhur me dhunë dy telefona celularë tip Samsung S5 dhe S4 shtetasit J.H. 19 vjeç, banues në Gjakovë të Kosovës. Gjithashtu, nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasit e mësipërm janë autorë edhe të dy rasteve të tjera të njëjta për të cilat po punohet për dokumentimin ligjor të tyre. Ndërkohë, nga kontrolli që u krye në makinë shtetasit Ledio Copa iu gjet dhe iu sekuestrua, rreth 1 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë.
U sekuestruan në cilësinë e provave materiale disa celularë të markave të ndryshme, mjeti i kryerjes së veprës penale, një pistoletë lodër dhe rreth 1 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë. Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës për veprat penale të vjedhjes me dhunë në bashkëpunim dhe prodhimi dhe shitja e narkotikëve.
15 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)