Protestojnë prindërit. Përmbyten edhe katet e para të banesave, shkak mungesa e investimeve
Vali Qyrfyçi
Investimet e munguara në zonë përmbytin shkollën dhe katet e para të godinave të banimit. Pas tri ditësh ndërprerje të procesit mësimor, nxënësit i kthehen mësimit në turnin e dytë në një tjetër institucion, ndërsa nis tërheqja e ujërave të zeza nga gropat septike. Protesta e prindërve dhe nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri 2”, në zonën e plazhit ka sjellë reagimin e Drejtorisë Arsimore dhe të shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës. Pasditen e së mërkurës nxënësit kanë nisur mësimin pranë shkollës së re “Bajram Curri 1” deri në një kohë të papërcaktuar, ndërsa shkolla dhe oborri i saj ndodhen ende nën pushtetin e ujërave të zeza e të larta. Ujësjellës-Kanalizime Durrës ndërkohë ka dërguar dje autobotet për pastrimin e dy gropave septike, që ndodhen në oborrin e shkollës, ndërsa përmes shefit të departamentit të kanalizimeve, Tonin Doda, deklarohet se përgjegjësia e situatës nuk bie mbi këtë ndërmarrje, po mbi bashkinë e qytetit: “Kemi marrë njoftim për gjendjen e kësaj shkolle, ndërkohë që ne si ndërmarrje nuk kemi lidhje me gjendjen e saj, pasi shkolla funksionon me gropa septike. Është detyra e bashkisë t’i pastrojë dhe t’i mirëmbajë këto gropa dhe jo e Ujësjellësit. Edhe ujërat e shiut që bien në oborrin e shkollës duhet të shkarkojnë në kanalin e ujërave të larta që ndodhet prapa murit të shkollës dhe që është i bllokuar. As pastrimi, zhbllokimi i kanalit nuk është detyrë e jona. Kompetencë e jona është rrjeti i kanalizimeve që ndodhet në krahun tjetër të rrugës”. Shkollat që ndajnë të njëjtin emër, po dallohen nga numrat dhe kushtet e godinave, nuk lidhen me këtë rrjet kanalizimesh, po funksionojnë me gropa septike, ashtu si dhe të gjitha pallatet e objektet rreth e përqark, duke krijuar një problem për të gjithë zonën. Për Dodën, Bashkia e Durrësit duhet të investojë për lidhjen e shkollës “Bajram Curri” me rrjetin e kanalizimeve, si dhe për sistemimin e oborrit të shkollës. Pavarësisht se Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve nuk ka kaluar në varësi të pushtetit vendor zyrtarisht, Bashkia e Durrësit njihet si aksioneri më i madh i saj dhe kjo e bën përgjegjësinë të përbashkët ndaj godinave dhe ambienteve shkollore. Që nga dita e premte e javës së kaluar, afro 717 nxënës të shkollës 9-vjeçare publike “Bajram Curri 2” të zonës së plazhit në qytetin e Durrësit dhe 76 fëmijë të kopshtit të kësaj shkolle nuk kanë mundur të frekuentojnë godinën shkollore, pasi inspektorët e Higjienës kanë mbyllur shkollën për shkak të kushteve higjieno-sanitare. Ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe. Prindër dhe nxënës të shkollës kanë protestuar të martën ndaj ndërprerjes së procesit mësimor dhe gjendjes së godinës, duke kërkuar rikthimin në bankat e shkollës të fëmijëve. Me pankarta në duar, nxënësit kanë kërkuar kushte normale, ambiente të pastra dhe siguri higjienike, po mbi të gjitha të vijojnë normalisht procesin mësimor të ndërprerë për shkak të kushteve higjieno-sanitare. Në shkollë sipas prindërve dhe nxënësve mungon edhe ndriçimi, muret janë plot lagështirë, ndërsa kur ka reshje shiu, tavanet pikojnë. Drejtoresha e shkollës, Fatmira Mulliqi, shprehet se ka vënë në dijeni në mënyrë të vazhdueshme për situatën Bashkinë e Durrësit, si dhe Drejtorinë Arsimore dhe pret zgjidhje të përkohshme përmes zhvendosjes në procesit mësimor në shkollën “Bajram Curri 1” që është në të njëjtin oborr me shkollën e amortizuar. Mbetja pa shkollë e fëmijëve në një prej zonat më të populluara të qytetit, asaj të plazhit ka marrë dhe vëmendjen e kryebashkiakut Vangjush Dako, i cili thotë se bashkisë i kanë munguar fondet, ndërkohë që me mbështetjen e një fondacioni austriak pritet të ndërhyhet në këtë situatë emergjente. Drejtoria Arsimore e Durrësit ka vendosur që nxënësit të nisin mësimin në shkollën tjetër, në turnin e dytë. Drejtori i DAR Durrës, Filip Gjonçi, thotë se ky institucion është interesuar duke kërkuar ndihmën e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve për të bërë zhbllokimin e kanaleve dhe tërheqjen e ujërave, ndërkohë që pronari i godinave arsimore është bashkia e qytetit. Sipas Gjonçit, po shfrytëzohen të gjitha rrugët për kthimin në normalitet të situatës dhe përmes Fondacionit Austriak, drejtuesja e shkollës ka siguruar një fond prej 10 mijë eurosh që do të shfrytëzohet në këtë fazë emergjence për tualetet, ujërat e zeza dhe sistemimin e oborrit. Më pas, do të nevojitet ndërhyrja me fond të veçantë e bashkisë për rregullime të tjera në shkollë. Tre vjet më parë, të njëjtin problem patën dhe nxënësit e prindërit e shkollës 9-vjeçare “Neim Babameto” të Spitallës, të cilët u ngritën në protestë për ujërat e zeza që dilnin në sipërfaqe dhe cilësinë e dobët të punimeve nga firma që realizoi konstruksionin e shkollës.