GJYKATA-DURRESGjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 19-vjeçaren Fatma Buziu, e cila akuzohet se në bashkëpunim me të dashurin e saj Ismail Xhindi, i ka vjedhur të atit 88 mijë franga dhe 4 milion lekë në kasafortën e tij. Vajza është shprehur e penduar për veprimin, ndërkohë që avokati i të pandehurës, Halil Hoxha, ka kundërshtuar arrestimin e vajzës, pasi nuk është kapur gjatë kryerjes së veprës penale, duke hedhur poshtë arrestimin në flagrancë. Pavarësisht pretendimit të ngritur nga pala mbrojtëse, togat e zeza kanë vendosur të shpallin si të ligjshëm arrestimin e 19-vjeçares dhe lënien e saj në burg deri në përfundim të gjykimit.


Çifti Fatma Buziu dhe Ismail Xhindi duket se kanë shpenzuar pa kriter paratë e vjedhura për 6 muaj me radhë, derisa në datën 3 janar janë pikasur nga i ati i vajzës, Shkëlqim Buziu. Babai nuk e ka miratuar asnjëherë lidhjen e së bijës me 22-vjeçarin, por kur është përballur me faktin e largimit të saj në një apartament të përbashkët me Ismail Xhindin, nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të pohojë për rrethin shoqëror “se e ka fejuar vajzën”. Ndërkaq një ditë më parë policia vuri në pranga edhe 22-vjeçarin Ismail Xhindi.


8 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)