Përgatitjet për zhvillimin e etapës së parë të garës prestigjioze çiklistike “Giro d’Italia 2025” kanë nisur me masa të sigurisë dhe kufizime në qarkullim. Prej mëngjesit të sotëm, policia e Shtetit dhe ajo bashkiake kanë filluar spostimin e automjeteve dhe vendosjen e shiritave kufizues në rrugët e Durrësit ku është i ndaluar parkimi, si pjesë e planit për zhvillimin e këtij eventi të rëndësishëm.
Nëpërmjet një njoftimi për media, policia ka bërë me dije se ndalimi i parkimit do të zbatohet në disa akse kryesore të qytetit, përfshirë rrugën “Mars 91”, “Taulantia”, bulevardin “Epidamn”, “Rruga e Dëshmorëve”, “Adria” dhe “Pavarësia”. Ky masë është në fuqi që prej orës 08:00 të datës 8 maj dhe do të zgjasë deri në orën 15:00 të datës 9 maj.
Kjo vjen para xhiros promovuese të garës, e cila do të zhvillohet të premten, më 11 maj, në orën 11:00, kur 180 çiklistë profesionistë nga e gjithë bota do të kalojnë përmes qytetit të Durrësit. Për këtë arsye, qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve do të jetë i ndaluar nga ora 11:00 deri në 14:00 në rrugët “Taulantia”, “Anastas Durrsaku” dhe rrugën paralel me portin.
Në të gjitha akset e parashikuara, efektivët e Policisë Bashkiake dhe të Policisë së Shtetit do të vendosin shirita sigurie për të garantuar zhvillimin e sigurt të aktivitetit dhe për të mundësuar kalimin pa pengesa të çiklistëve.
Etapa e parë e “Giro d’Italia” do të nisë nga Kilometri 0 në Plepa dhe do të kalojë përmes disa qyteteve, duke përfshirë Kavajën, Peqinin, dhe Tiranën, ku gara do të përfundojë rreth orës 17:00 në Sheshin “Nënë Tereza”.
