Oerd Bylykbashi ka vizituar Durrësin për të monitoruar situatën e krijuar nga reshjet e dendura të shiut, duke e cilësuar atë si “më shumë se dramatike”.

Në një prononcim për mediat, ai ka theksuar se përmbytjet janë pasojë e keqadministratës dhe ndërhyrjeve të gabuara, duke shtuar se Durrësi është përmbytur tri herë brenda një viti, një fenomen që e konsideron si të shkaktuar nga njeriu.

E gjithë situata është më shumë se dramatike. Nuk është katastrofë natyrore, kjo është katastrofë e shkaktuar nga njeriu. Nuk është një histori mos menaxhimi, por korrupsioni, janë mbi 30 mln të hedhura në sistemin e kanalizimeve dhe ja ku është rezultati.

Brenda një viti kjo zonë është përmbytur 3 herë. Janë mbi 40 familje që presin dëmshpërblimin e dy përmbytjeve të para dhe tani i zuri i treti. Kjo është histori kriminale, para të cilat hidhen në mënyrë të qëllimshme. Kemi hidrovorin e vjetër… nuk garanton tërheqjen e ujit. Ja ku është pasoja. Kanë mbyllur kanalin e ujërave të larta të zonës së Kodrës. U mbyll 2.6 km kanal për t’u bërë shëtitore.  

Këtu ka punë për Prokurorinë e shtetit, të vijë dhe të marrë në përgjegjësi penale të atyre që kanë sjellë këtë situatë.

Hidorvori i ri i ndërtuar me 19 mln euro nuk është në kushte për të bërë detyrën e tërheqjes së ujit. 19 mln janë shumë. Duhet audituar situata.“, shprehet ai.