“26 Nëntori”


Një flamur gjigant dhe kalorësit e nisur nga Mitrovica do të çelin sot festimet e shpalljes së Pavarësisë në Durrës. Në orën 10:00, në qendër të qytetit do të ngrihet flamuri dhe më pas ceremoni e aktivitete të tjera do të organizohen deri në mbrëmje në përkujtim të 100-vjetorit, ndërsa ekspozita e flamujve do të presë të gjithë të interesuarit në galerinë e arteve figurative. Më 26 nëntorin e 100 viteve të shkuara, parësia e Durrësit do të shpallte Pavarësinë dhe caktonte delegatët për në Kuvendin e Vlorës, qytetin ku do të shpallej pavarësia për mbarë vendin. Disa ditë para kësaj date, Ismail Qemali, duke vlerësuar pritjen dhe kushtet aspak të favorshme në Durrës, vendosi që aktin më thelbësor në historinë e vendit tonë ta kryente në Vlorë. E ndërsa Ismail Qemali kishte mbërritur në qytetin e Vlorës, në Durrës po bëheshin përgatitjet e fundit për shpalljen e pavarësisë lokale. Më 26 nëntor, pas ngritjes së flamurit me shqiponjën dykrerëshe, parësia e Durrësit do të informonte me anë të një telegrami popullin e qyteteve të tjera të Shqipërisë mbi aktin: “Ju japim lajmin gazmor se me mirësinë e lartë hyjnore tani e shpallëm Pavarësinë në emër të kombësisë sonë të shenjtë e në emër të të gjithë Shqipërisë. Nga memorandumet që kemi hartuar, një kopje ia kemi paraqitur Konsullatës Austriake, Konsullatës Frënge dhe të tretën kopje Konsullatës Austriake, si zëvendëse e Konsullatës së lartë të Italisë”. Ngritja e flamurit në Durrës përmbushi porosinë e Ismail Qemalit, që Durrësi ta shpallte pavarësinë dhe të zgjidhte delegatët e kuvendit kombëtar të Vlorës para se një pushtues të zëvendësohej me një tjetër, para se ushtritë serbe të hynin në qytet dhe të vendosnin me forcën e armëve të tyre. Gjatë ditës së sotme, qytetarët durrsakë do të nderojnë veprimtarët që i përballuan detyrat historike dhe e siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë me njerëz të devotshëm, të kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi. V. Qyrfyçi