Pas përmbytjeve katastrofike që pësoi Durrësi gjatë ditëve të fundit, duket sikur problematikat nuk kanë fund në qytetin bregdetar.
Bashkia Durrës ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët, teksa apelon që të shmangin daljet e panevojshme, pasi priten era të forta. Sipas njoftimit, qyteti i Durrësit pritet të përballet me erëra të forta që prej pasdites së sotme deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Njoftimi i plotë:
Sipas parashikimeve meteorologjike, qyteti ynë pritet të përballet me erëra të forta. Duke filluar nga ora 16:00 e ditës së sotme, era nga drejtimi jugor do të intensifikohet, duke arritur shpejtësi deri në 25 m/sek, situatë që do të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës. U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal. Ju lutemi ndiqni njoftimet zyrtare për sigurinë tuaj dhe të familjarëve. Strukturat tona do të jenë në gatishmëri të plotë për çdo problematikë që mund të paraqitet.


