Dy aksidente të rënda janë regjistruar ditën e sotme në qarkun e Fierit, ku raportohet për të plagosur. Fillimisht, një 65-vjeçar është përplasur nga një autobus në aksin nacional Delvinë-Sarandë. I plagosuri, i dentifikuar si Agim Vocka, është transportuar fillimisht në spitalin e Sarandës dhe më pas, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është nisur me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Aksidenti ka ndodhur në kthesën për në fshatin Bajkaj, pranë një pike karburanti, ku autobusi i linjës Delvinë-Sarandë, me drejtues Vangjel Zoto, ka goditur 65-vjeçarin, i cili po lëvizte në këmbë. Pas përplasjes, drejtuesi i autobusit është larguar nga vendngjarja, por është kapur më vonë nga shërbimet e Policisë së Delvinës. Nga testi i alkoolit rezultoi se drejtuesi i autobusit nuk kishte konsumuar alkool, pasi aparati ka shënuar 0.00 mg/l. Ndërkohë, gjendja shëndetësore e 65-vjeçarit paraqitet e rëndë. Sipas mjekëve të spitalit të Sarandës, Vocka ka pësuar traumë të rëndë të kokës, frakturë dhe hemorragji trunore, ndërsa ndodhet në gjendje kome cerebrale.

Nga ana tjetër, një aksident rrugor ka ndodhur edhe në aksin Levan-Tepelenë, pranë fshatit Varibop, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin. Në aksident janë përfshirë një “Audi” dhe një “Mercedes-Benz”, ndërsa nga përplasja njëri prej automjeteve ka përfunduar brenda ambienteve të një pike karburanti

Si pasojë e aksidentit, dy persona që udhëtonin në automjetin “Audi” kanë mbetur të plagosur. Ata janë transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. Ky është aksidenti i dytë i regjistruar në qarkun e Fierit brenda një ore.