Një përplasje mes një kamioni dhe një automjeti është regjistruar në zonën e Pyllit të Sodës, në Vlorë, duke lënë të plagosura dy vajza.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje u dërguan efektivët e Policisë, ekipet e urgjencës mjekësore dhe shërbimi zjarrfikës, të cilët ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë të lënduarave dhe për të garantuar sigurinë në zonë.

Dy vajzat e plagosura u transportuan drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po marrin trajtim mjekësor. Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale në të dy mjetet.

Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për të përcaktuar dinamikën e aksidentit dhe për të zbardhur shkaqet që çuan në përplasjen e dy mjeteve.