Dy të afërm janë vënë në pranga në Shqipëri pas më shumë se dy dekadash në arrati nga autoritetet italiane. Sipas mediave në Itali, ata kërkoheshin që prej vitit 1999, kur në qytetin Cesa ndodhi një sulm i dhunshëm ndaj dy bashkëkombësve të tyre me mjete të forta dhe thika, ku njëri humbi jetën ndërsa tjetri mbeti i plagosur rëndë.
Pas ngjarjes, të dy u zhdukën pa lënë gjurmë, duke u strehuar në Shqipëri, ku dyshohet se për vite me radhë jetuan duke përdorur identitete të rreme për t’iu shmangur drejtësisë. Zbulimi dhe arrestimi i tyre u bë i mundur falë bashkëpunimit të strukturave të Policisë Kriminale shqiptare me ekspertët italianë të sigurisë.
Të premten në mëngjes, ata u ekstraduan drejt Italisë përmes aeroportit “Fiumicino” në Romë, nën shoqërimin e efektivëve të Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor. Pas mbërritjes, u transferuan në institucionet e vuajtjes së dënimit, ku do të përballen me akuzat për vrasje dhe tentativë vrasjeje.
Ky operacion është pjesë e nismës së Policisë së Shtetit “Në kërkim 2025”, që synon identifikimin dhe kapjen e personave të arratisur prej kohësh. Hetimi, i cili zgjati rreth një vit, u koordinua nga Prokuroria e Përgjithshme e Napolit në bashkëpunim me strukturat e specializuara për zbatimin e ligjit.
