Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në Vlorë, duke hedhur poshtë raportimet se dy efektivët e Policisë Ushtarake të dyshuar për përfshirje në ngjarje janë truproja personalë të tij. Në reagimin e tij, Nufi sqaron se ata janë pjesë e Forcave të Armatosura dhe se ditën qe ndodhi ngjarja nuk kanë qenë në shërbim. Ministri nënvizon gjithashtu se, nëse përfshirja e tyre në ngjarje konfirmohet nga autoritetet, përgjegjësia është individuale.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me raportimet e disa portaleve për përfshirjen e dy efektivëve të Policisë Ushtarake në ngjarjen e ndodhur dje në Vlorë, e konsideroj të nevojshme të sqaroj opinionin publik se këta persona nuk janë truproja apo badigardë personalë. Ata janë pjesë e Policisë Ushtarake, strukturë e Forcave të Armatosura me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligj.
Efektivët e dyshuar janë pjesë e Policisë Ushtarake që nga viti 2006 dhe në periudha të ndryshme prej vitit 2018-të, ata kanë kryer edhe detyra të sigurisë, mbrojtjes dhe shoqërimit institucional të Ministrit të Mbrojtjes, por kjo nuk i bën ata punonjës personalë të ministrit dhe, aq më pak, nuk i lidh veprimet e tyre individuale me institucionin apo me ministrin.
Dua të theksoj gjithashtu se asnjëri prej dy efektivëve nuk ka qenë në shërbim ditën e ngjarjes në Vlorë. Për rrjedhojë, çdo veprim i tyre në këtë ngjarje, nëse konfirmohet nga organet kompetente, është veprim individual dhe jashtë detyrës institucionale.
Ministria e Mbrojtjes distancohet qartësisht nga çdo veprim i paligjshëm dhe respekton plotësisht hetimin e organeve ligjzbatuese. Përgjegjësia individuale dhe rrethanat e ngjarjes do të përcaktohen vetëm nga autoritetet kompetente, në përputhje me ligjin. Deri në përfundimin e verifikimeve, dy efektivët janë pezulluar nga shërbimi në Policinë Ushtarake.
Ministria e Mbrojtjes mbetet e vendosur për respektimin e ligjit, disiplinës dhe integritetit profesional nga çdo efektiv dhe punonjës i strukturave të saj. Uniforma, autoriteti dhe detyra shtetërore nuk mund të përdoren për qëllime personale apo jashtë kuadrit ligjor. Çdo shkelje e konstatuar do të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
