Një grup familjarësh dhe banorësh të zonës ku ndodhi aksidenti tragjik janë mbledhur mbrëmjen e sotme përpara godinës së Bashkisë, duke zhvilluar një protestë të heshtur në nderim të viktimave.

Të pranishmit, kryesisht të rinj të veshur me të zeza, kanë ndezur qirinj në shkallët e institucionit, si simbol homazhi për jetët e humbura në ngjarjen e rëndë.

Tubimi është zhvilluar pa deklarata për mediat, ndërsa heshtja është përdorur si formë proteste ndaj autoriteteve vendore, për të kërkuar më shumë siguri në zonat e banuara.

Për disa minuta, qarkullimi në një nga rrugët kryesore të qendrës së qytetit është bllokuar nga pjesëmarrësit.

Kjo protestë vjen pas një tjetër akti simbolik të zhvilluar më herët gjatë ditës, kur pranë Drejtorisë së Policisë së Durrësit u vendos një kurorë me lule me mbishkrimin “Merrni masa”.

Banorët dhe familjarët, të tronditur nga ngjarja ku humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos një tjetër, kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për përmirësimin e sigurisë rrugore dhe kushteve infrastrukturore në lagje, me qëllim parandalimin e tragjedive të ngjashme.

Ndërkohë, është paralajmëruar edhe një tjetër marshim, më masiv, që pritet të zhvillohet pasditen e nesërme.

Sipas hetimeve paraprake, shtetasi Nikoll Radaçi dyshohet se drejtonte mjetin në gjendje të dehur kur përplasi tre fëmijë që po luanin pranë trotuarit. Si pasojë, dy prej tyre, Kles Nikolli (9 vjeç) dhe Enea Muçaj (12 vjeç), humbën jetën në vend, ndërsa i mituri tjetër, Arbjon Meslani (8 vjeç), ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Automjeti ka përplasur gjithashtu edhe një mjet të parkuar përpara se të ndalej.