Parku kombëtar i Lurës vazhdon të digjet nga flakët që janë të pranishme prej dy javësh.
Flakët kanë përshkuar mbi 300 hektarë pyje dhe kullota, teksa ende është e pamundur vënia nën kontroll për shkak të erës që favorizon përhapjes dhe terrenit të vështirë për ndërhyrjen e zjarrfikëses.
Në operacion gjatë kësaj periudhe, kanë marrë pjesë 940 forca nga FA, zjarrfikësit e Dibrës, punonjësit e bashkisë Dibër, të zonave të mbrojtura dhe vullnetarë, e po ashtu helikopteri i Forcave te Armatosura ka ndërhyrë tre here për të fikur zjarre në Lurë. Në ndihmë ka ardhur dje dhe sot edhe një avion nga Italia me kapacitet më të madh, i cili është përdorur në Zall Gjocaj ku rrezikoheshin bagëti dhe stane. Sakaq pritet që në vijim të operojë edhe në Lurë.
Aktive vijojnë të jenë edhe vatrat e zjarrit në Shkopet, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve në parkun natyror “Ulëz-Shkopet”, ndërsa në rrezik janë edhe disa banesa në fshatin Shkopet.
Ekipet zjarrfikëse vijojnë përballjen në terren me flakët ndërsa pritet që në orët në vijim të ndërhyhet edhe nga ajri.