Kuvendi hapi dyert sot për të pritur seancën e parë parlamentare, të legjislaturës së re që doli nga zgjedhjet e 11 majit.
140 deputetët, trupi diplomatik si dhe krerët e komuniteteve fetare në vend mbushën sallën, teksa të pranishëm ishin edhe kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçe.
Megjithatë, dy karrige mbetën bosh, Olsian Çela dhe Altin Dumani, drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Posaçme nuk morën pjesë. Ende nuk janë bërë të ditura arsyet e mospjesëmarrjes së tyre në hapjen e legjislaturës së XI të parlamentit.
