Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka reaguar në lidhje me përjashtimin nga anëtarësia e dy këshilltarëve Dritan Burgija dhe Arlind Boshku në bashkinë Durrës.

Sipas Nokës, kërkesa për përjashtimin e tyre ishte depozituar më herët nga strukturat e PD në Durrës, duke theksuar se vendimi është marrë mbi baza konkrete. Noka u shpreh se njëri prej këshilltarëve ka punuar për Partinë Socialiste gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025, ndërsa tjetri akuzohet për përfitime personale nga posti dhe bashkëpunim me këtë forcë politike.

Kujtojmë se Burgija dhe Boshku i kanë dhënë mbështetje ish-deputetit Ervin Salianji, në një kohë kur brenda Partisë Demokratike po zhvillohen diskutime, ndërsa është caktuar edhe data e garës për kreun e saj, më 23 maj.

“Sqarim për opinionin publik! Lidhur me dizinformimin e mediave të qeverisë për motivin e vendimit për largimin e dy këshilltarëve nga grupi i këshilltarëve të PD të Bashkisë Durrës, sqarojmë sa vijon:
Dy këshilltarët e grupit të PD në Bashkinë Durrës janë larguar nga grupi i këshilltarëve dhe strukturat e PD lokale me kërkesë të Degës së PD Durrës, cila ka depozituar këtë kërkesë kohë më parë.
Arlind Boshku është vërtetuar se ka punuar për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit 2025, kurse Dritan Burgija ka shfrytëzuar pozicionin e këshilltarit të PD për përfitime personale nga Bashkia dhe po sipas relacionit të Degës së PD Durrës, ai ka punuar për PS. Çdo interpretim tjetër është trillim.”
– shkruan Noka.