Kakavijë
Antidroga
Policia kufitare e Kakavijës ka sekuestruar rreth dy kilogramë kanabis në një autobus të linjës Athinë-Gjirokastër. Pas një kontrolli të ushtruar në autobus, një pjesë e lëndës narkotike u gjet e fshehur në një çantë dore dhe pjesa tjetër në një kuti torte, e paketuar në pako dhe e mbuluar me karamele. Pas sekuestrimit të drogës, uniformat blu ndaluan të dyshuarin Fatjon Haderaj dhe bashkëshorten e tij, Ela Malko. Nga hetimet e para të kryera, rezultoi se kjo e fundit nuk kishte implikim në ngjarje dhe është lënë e lirë. Ndërsa bashkëshorti i saj, lindur e banues në Gjirokastër, i datëlindjes 1985, pranoi se lëndën narkotike e kishte futur në çantën e bashkëshortes pa dijeninë e saj. Ai e kishte blerë lëndën narkotike në Lazarat. Ndaj Haderajt rëndon tashmë akuza e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ç.J.