Veriu dërgon raketa në bregdet, Jugu nxjerr anijet e luftës me sistem antiraketor
Koreja e Jugut vendosi dy luftanije të pajisura me sisteme të mbrojtjes antiraketore, një ditë pasi Veriu duket se lëvizi një raketë drejt bregut të vet lindor. Zyrtarët ushtarakë në Korenë e Jugut thanë se dy anijet u pozicionuan njëra në anën lindore dhe tjetra në anën perëndimore të vendit.
Seuli nuk e ka konsideruar si shumë të rëndësishme lëvizjen e raketës nga Koreja e Veriut, duke thënë se ndoshta bëhet fjalë për një test më shumë se sa për një akt armiqësor.
Në javët e fundit, Veriu është përpjekur të ashpërsojë retorikën e vet sa më shumë duke bërë kërcënime specifike mbi territoret amerikane në Paqësor. Një nga objektivat e përmendur nga Piongiangu ishte ishulli i Guamit në Paqësor, ku gjendet një bazë ushtarake amerikane.
Të enjten, SHBA konfirmuan se do të dërgojnë sisteme të mbrojtjes raketore në Guam, në përgjigje ndaj kërcënimeve.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, tha se “lëvizja që kemi bërë është konceptuar për të risiguruar popullin amerikan dhe aleatët tanë se ne mund të mbrojmë Shtetet Bashkuara”, tha ai.
Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut tha se Veriu ka lëvizur një raketë në bregun lindor, një vend që është përdorur edhe më parë për teste ushtarake. Por raporte të pakonfirmuara thonë se të premten, Veriu lëvizi edhe dy raketa të tjera dhe i ka vendosur në shtratet e lëshimit. Raketat mendohet se janë me rreze të mesme veprimi dhe quhen Musudans. Ato janë të atestuara për fluturim, por mendohet se kanë kapacitet të arrijnë deri në Guam.
Agjencia e lajmeve e Koresë së Veriut tha se dy anijet e luftës janë të pajisura me sistemin Aegis dhe do ta monitorojnë situatën. “Nëse Veriu hap zjarr me raketa, ne do të ndjekim trajektoren e tyre”, njoftoi agjencia duke cituar një zyrtar.
Pavarësisht retorikës së luftës nga Koreja e Veriut, ajo nuk ka ndërmarrë sulme të drejtpërdrejta ushtarake që nga viti 2010, kur bombardoi një ishull të Jugut dhe vrau katër njerëz.
Por gjatë javëve të fundit, vendi komunist ka kërcënuar me sulme bërthamore mbi SHBA dhe Korenë e Jugut. Ajo ka njoftuar gjithashtu shpalljen formale të luftës me Jugun. Shumë nga deklaratat e zemëruara të Koresë së Veriut thonë se kanë marrë shkas nga stërvitjet e përbashkëta vjetore të ushtrisë amerikane me atë të Koresë së Jugut. SHBA ngritën në fluturim avionët B-2 dhe B-52, të cilët janë në gjendje të mbajnë bomba atomike. Media zyrtare e Koresë së Veriut thotë se SHBA po rrethon gadishullin me një kërcënim bërthamor nga toka, deti dhe ajri.