Policia ka dhënë një njoftim zyrtar për dy ngjarje që ndodhën brenda 10 minutash në kryeqytet, me pasojë në jetë njerëzish.
Sipas bluve, 31-vjeçari Egli Pashollari, i vrarë me thikë pas një sherri në rrugën “Kongresi i Lushnjes” ka ndërruar jetë në spital. Ndërkohë edhe plagosja që ka ndodhur në një zonë tjetër të Tiranës, po hetohet, ndërsa i lënduari 34-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 15:40, dyshohet se gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjes”, është goditur me një mjet prerës shtetasi E. P, rreth 31 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.
Rreth orës 15:50, në Rrugën e Kavajës, dyshohet se gjatë një konflikti është plagosur me armë zjarri shtetasi A. K., 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.Policia i ka identifikuar autorët e këtyre dy ngjarjeve, të dhënat e të cilëve nuk jepen, për shkak se hetimi vijon. Punohet intensivisht për kapjen e tyre.
Ndërkaq, grupet hetimore vijojnë punën për sqarimin e rrethanave të rasteve dhe dokumentimin e plotë ligjor të tyre si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje.
