Ish-presidenti Ilir Meta u mor sot në pyetje nga prokurorët e posaçëm të SPAK këtë të martë në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Avokati i tij, Genc Gjokutaj dha detaje pas dëshmisë mbi 2 orë. Ai tha se Meta u pyet për lobimin, nga prokurorët e posaçëm.

“U drejtuan pyetje për çështjen e lobimit. Meta u tregua bashkëpunues dhe sqarues. Meta nuk zgjodhi heshtjen, por përballjen. U kërkoi prokurorëve për çështjen e McGonigal, për inceneratorët.”– tha avoakti.

Kryetari i Partisë së Lirisë u arrestua në 21 tetor 2024 me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndaj Metës, SPAK-u ka kryer një hetim pasuror dhe dyshohet për mosdeklarim pasurish, korrupsion dhe pastrim parash. Ai po qëndron në burg, pasi Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi masën “arrest në burg”.

Në faqen e tij zyrtare në Facebook ai tha një ditë më parë se do t’i pyeste ai prokurorët e posaçëm dhe jo këta të fundit kreun e Partisë së Lirisë.

“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk. Padyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, shkruhej në postimin e faqes zyrtare të Metës.