Lezhë


34-vjeçari u shoqërua me masa të forta sigurie nga paraburgimi 313


Emiljano ShullaziGjykata e Lezhës vendosi masën e arrestit burg pa afat për Emiliano Shullazin dhe shokun e tij Elidon Harizaj, të cilët u arrestuan nga policia për armëmbajtje pa leje. Nën masa të forta sigurie, Shullazi është dërguar nga paraburgimi 313 në Tiranë, ku qëndronte pas arrestimit nga forcat e RENEA-s ditën e shtunë drejt Gjykatës së Lezhës. Forcat Speciale të Policisë, me mjete të blinduara, kanë kryer transportimin e Shullazit në godinën e Gjykatës, e cila, nga ana tjetër, është “blinduar” nga forca të shumta policie të qytetit të Lezhës. Duket se e gjithë policia ishte ngritur në “këmbë” për transportimin e këtij personi, që njihet për precedentët e shumtë penale, në gjykatë. Gjatë seancës, prokuroria kërkoi që Shullazi të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonte janë kapur dy pistoleta. Akuza e ka quajtur këtë veprim si të rrezikshëm për shoqërinë dhe, duke parë të “kaluarën” e 34-vjeçarit, kërkoi që të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve, pasi në gjendje të lirë mund të prishë edhe provat. Kërkesa e Prokurorisë është pranuar nga gjykata, e cila la në burg “Milin”. Mësohet se Shullazi, pas seancës për masën e sigurisë, është kthyer në qytetin e Tiranës, në paraburgimin e sigurisë së lartë, i shoqëruar nga forca dhe mjete të shumta policore. Arrestimi i 34-vjeçarit dhe shokut të tij u realizua disa ditë më parë në qytetin e Lezhës, pasi gjatë kontrollit të automjetit, me të cilin udhëtonte, janë gjetur dy pistoleta që mbaheshin pa leje. Gjatë arrestimit, atij iu gjetën në makinën e blinduar disa pajisje antipërgjim. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës, Shullazit iu kapën edhe dy radio policie, 6 telefona celularë, si dhe një aparaturë antipërgjimi. Emiliano Shullazi është një nga emrat më të njohur për drejtësinë shqiptare. Ai u arrestua në vitin 2006 si pjesëtar i një grupi kriminal që trafikonte në Itali lëndë narkotike. Megjithatë, gjykata e dënoi vetëm për shitje të lëndëve narkotike, ndërsa u lirua pas disa viteve burg. Ai është arrestuar edhe disa herë të tjera për armëmbajtje pa leje, ku asnjëherë nuk është dënuar, për shkak se është mbrojtur nga “bashkëpunëtorët” e tij. Madje, Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm në muajin maj të këtij viti.