Janë publikuar pamjet filmike të momentit të vrasjes së biznesmenit 43-vjeçar Edmond Mëhalla në Elbasan. Në foto shihet autori i dyshuar i veshur me kapuç, me qëllim shmangien e identifikimit nga kamerat e sigurisë.

Për këtë krim, policia ka vënë në pranga ish-ortakun e viktimës, Xhino Ago, si dhe 52-vjeçarin Kujtim Pisha, roje i karburantit, i cili akuzohet për “Moskallëzim krimi”. Gjatë hetimeve, janë sekuestruar dokumentet e shitblerjes së automjetit që u gjet i djegur në një fshat të Elbasanit, tre celularë dhe dy pajisje DVR.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë: 32-vjeçarin Marselo Arani dhe 35-vjeçarin Armando Kola. Arani, banues në Elbasan, ndodhej nën masën “Arrest në shtëpi” për një çështje tjetër penale, ndërsa Kola, me banim në Laç, akuzohet për “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, si dhe “Largim të të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.