Mbrëmjen e së shtunës, dy punonjës të Policisë së Shtetit shkuan në selinë e Partisë Demokratike për t’i komunikuar ish-kryeministrit, Sali Berisha, masën e GJKKOS-së.
Në një deklaratë për mediat pasi doli nga selia blu, Berisha u shpreh se nuk i ka takuar dy oficerët e policisë pasi nuk dëshiron të shkelë kushtetutën.
“Kushtetuta është Kushtetutë. Siç ua sqaroi Bylykbashi, ky ishte një akt i turpshëm i Edi Ramës i cili i urdhëron si mercenarë të shkelmojnë Kushtetutën. Ka një nen, neni 73 pika 2, që qartëson në mënyrë të kristaltë çdo veprim, pra deputetit nuk mund ti kufizohet liria në asnjë lloj forme pa vendim të parlamentit. Nuk pata asnjë takim personalisht sepse unë do të respektoj kushtetutën, e cila prevalon. Ky ishte turpi i Edi Ramës. Unë ata nuk i takova fare sepse unë nuk mund të pranoj shkelmim të kushtetutës se do Edi Rama, nuk mund të pranoj. Po t’i takoja, do i thosha çojani Edi Ramës ta ziejë çaj. Mos i ngatërrojmë gjërat, ajo që nisi ditën e enjte është pa kthim. Edi Rama përpiqet t’i pleksë, por me dështim. Besoj se u përgjigja”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë kujtojmë se ish-kryeministrit, Sali Berisha i është caktuar masa “detyrim paraqitje” dhe i është bllokuar pasaporta, pas akuzave për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Sali Berisha dyshohet për korrupsion pasiv të funksionarëve në bashkëpunim. Por jo vetëm kaq, pasi Gjykata e Posaçme vendosi detyrim paraqitje edhe për Fatmir Bektashin, ndërsa ra në pranga Jamarbër Malltezi.