Dy raste të hedhjes së lëndëve plasëse janë regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në Durrës. Nga shpërthimet janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Rasti i parë është regjistruar rreth orës 03:50, në lagjen nr. 11 të Durrësit. Sipas policisë, në derën e jashtme të një lokali në pronësi të shtetasit me inicialet G. K. është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse.

Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të lehta materiale.

Rreth 40 minuta më vonë, në orën 04:30, një tjetër incident është regjistruar në zonën e Shkallnurit, në anë të rrugës Plepa–Ndroq.

Sipas të dhënave paraprake të policisë, një sasi lënde plasëse është hedhur në derën e garazhit të një automjeti, duke shkaktuar edhe në këtë rast vetëm dëme materiale.

Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë nisur punën për mbledhjen dhe administrimin e provave, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të dy ngjarjeve.

Autoritetet po punojnë gjithashtu për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dy shpërthimeve.