Dy shtetas nga Kosova, të ardhur nga Prishtina, janë shoqëruar nga Policia gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë.
Sipas të dhënave paraprake, dy të rinjtë kishin udhëtuar drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar tubimit. Njëri prej tyre ka deklaruar para policisë se është simpatizant i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe i politikave të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në dëshminë e tij, ai ka treguar se kishte mbërritur në Tiranë ditën e protestës, së bashku me një mik me të cilin punon si kamerier. Sipas tij, vendimi për të ardhur në Shqipëri ishte marrë pas zhvillimeve të fundit politike, ndërsa qëllimi fillestar ishte pjesëmarrja në një protestë paqësore.
I pyetur për arsyet e pjesëmarrjes, i riu ka shprehur kundërshtimin ndaj politikave të kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ato ndryshojnë nga drejtimi politik i qeverisë së Albin Kurtit. Ai ka thënë gjithashtu se dëshironte ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri dhe ardhjen në pushtet të një qeverie që do të ndiqte politika të ngjashme me ato të Vetëvendosjes.
Shtetasi nga Kosova ka mohuar të ketë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës. Për shallin që mbante në fytyrë, ai ka pretenduar se e kishte përdorur për t’u mbrojtur nga të ftohtit.
Ai ka deklaruar se udhëtimin nga Prishtina e kishte kryer me autobus, së bashku me mikun e tij, ndërsa në të njëjtin mjet, sipas dëshmisë së tij, kishte pasur edhe persona të tjerë nga Kosova që kishin ardhur për të marrë pjesë në protestë.
