Policia e Sarandës ka gjetur një armë zjarri tip pistoletë, e futur në një çantë krahu, pranë vendit ku mesditën e sotme u plagosën rëndë dy të rinj nga Kamza, Ernest Lama, 24 vjeç dhe Gëzim Hoxhaj, 32 vjeç. Sipas burimeve, dyshohet se arma mund t’u përkasë njërit prej të plagosurve.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar edhe katër gëzhoja të shkrepura nga arma e autorit, të cilën ky i fundit e ka marrë me vete.
Policia, në bashkëpunim me forcat e ndërhyrjes së shpejtë (FNSH), vijon kontrollet në disa zona të qytetit dhe po heton lidhjet e kësaj ngjarjeje me ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Sarandë.
Për këtë plagosje të dyfishtë janë shpallur në kërkim dy vëllezër nga Saranda, Ramadan Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 42 vjeç, dhe Erjon Canaj, 35 vjeç, të dy me precedentë të rëndë penalë.
Ramadan Zoto rezulton i dënuar në Greqi për vrasjen e 51-vjeçarit Pushkin Kuspa në Athinë në vitin 2005 për motive hakmarrjeje, ndërsa në janar 2008 ka shkëmbyer zjarr me policinë greke në një tentativë për t’u arrestuar. Ai rezulton gjithashtu i përfshirë edhe në grabitje të armatosura.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se në këtë ngjarje mund të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë, për të cilët hetimet janë ende në vijim.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e dy të plagosurve vijon të mbetet e rëndë. Ata janë transportuar me helikopter nga Spitali i Sarandës drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar.
