Dy ngjarje të rënda kanë tronditur brenda pak orësh fshatin Boriç i Madh në Malësinë e Madhe, ku një 28-vjeçar dhe një 19-vjeçare janë gjetur pa shenja jete. Policia dyshon se në të dyja rastet bëhet fjalë për vetëvrasje.
Ngjarja e parë është regjistruar më 6 tetor, rreth orës 15:20. 28-vjeçari me inicialet K.P., banues në Boriç i Madh, u gjet i pajetë në një zonë bujqësore të fshatit. Nga veprimet e para hetimore, autoritetet dyshojnë se i riu i ka dhënë fund jetës.
Një ditë më pas, më 7 tetor, në të njëjtin fshat u shënua një tjetër rast i rëndë. 19-vjeçarja me inicialet D.Gj. u gjet e pajetë dhe, sipas Policisë, edhe në këtë rast dyshohet për vetëvrasje.
Për të dyja ngjarjet janë nisur hetimet, ndërsa grupet hetimore po punojnë për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sakta.
Ndërkohë, banorë të zonës ngrenë dyshime për një lidhje të mundshme mes dy rasteve. Sipas pretendimeve, të cilat nuk janë konfirmuar zyrtarisht, 28-vjeçari dhe 19-vjeçarja kanë qenë në një lidhje.
Banorët pretendojnë gjithashtu se e reja mund të ishte fejuar nga familjarët e saj kundër dëshirës së saj dhe se kjo ngjarje ka ndodhur në të njëjtën ditë kur 28-vjeçari u gjet i pajetë.
Megjithatë, këto janë vetëm dëshmi dhe pretendime të pakonfirmuara. Deri më tani, Policia dhe autoritetet hetimore nuk kanë bërë të ditur nëse ekziston një lidhje mes dy rasteve apo nëse pretendimet për një fejesë të padëshiruar qëndrojnë.
Pikërisht për këtë arsye, rrethanat e dy ngjarjeve mbeten ende për t’u sqaruar nga hetimet. Autoritetet pritet të verifikojnë çdo pistë dhe të përcaktojnë nëse dy rastet kanë apo jo ndonjë lidhje mes tyre.
