Dy të rinj shqiptarë, 25 dhe 26 vjeç, janë proceduar nga policia italiane pas një ndjekjeje të rrezikshme me makinë në zonën mes San Mauro Mare dhe Bellaria. Ata kishin tërhequr vëmendjen e autoriteteve gjatë një operacioni kundër trafikut të drogës.
Policia kishte identifikuar një “Peugeot 208” të zi, për të cilin dispononte informacione se mund të lidhej me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Kur efektivët tentuan të kontrollonin dy personat brenda automjetit, drejtuesi përshpejtoi dhe u largua.
Patrulla të tjera u angazhuan për ndalimin e makinës, por 25-vjeçari nuk iu bind urdhrit të policisë dhe vijoi arratisjen me shpejtësi nëpër rrugët e zonës turistike.
Sipas mediave italiane, gjatë ndjekjes u rrezikua seriozisht siguria e këmbësorëve dhe drejtuesve të tjerë të mjeteve. Familje që po shkonin drejt plazhit u detyruan të largoheshin me shpejtësi nga rruga, ndërsa një grua, që raportohet se ishte shtatzënë, arriti të shmangte automjetin duke vrapuar teksa ndodhej në një vendkalim këmbësorësh.
Për të shmangur një aksident, policia uli ritmin e ndjekjes, por vazhdoi ta mbante automjetin nën vëzhgim. Pas ndërhyrjes së disa patrullave, “Peugeot”-i u bllokua dhe dy shqiptarët u neutralizuan.
Pak çaste përpara ndalimit, policët panë pasagjerin duke hedhur nga dritarja një pako të zezë. Ambalazhi u gjet më vonë, por përmbajtja kishte përfunduar në një kanal me ujëra të ndotura dhe nuk mundi të rikuperohej. Hetuesit dyshojnë se brenda saj kishte lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit të makinës u zbuluan gjithashtu dy shkopinj të mprehur, rreth një metër të gjatë, të fshehur pranë dyerve. Ato u sekuestruan nga policia.
Të dy shqiptarët, të cilët sipas autoriteteve italiane rezultojnë me precedentë penalë, u proceduan për mbajtjen e mjeteve të ndaluara. Ndaj 25-vjeçarit që drejtonte automjetin u ngritën akuza shtesë për mosbindje ndaj policisë dhe drejtim të rrezikshëm.
Automjeti u sekuestrua, së bashku me dokumentacionin përkatës. Nga kontrollet rezultoi gjithashtu se drejtuesit të mjetit i ishte refuzuar rinovimi i lejes së qëndrimit dhe ndodhej ilegalisht në Itali, ndaj ndaj tij u ndërmorën procedura të tjera ligjore.
