Dy vatra të mëdha zjarri janë  aktivizuar mesditën e kësaj të enjteje në fshatin Shelegar të Sarandës dhe në Bregas të Finiqit, të cilat kanë marrë përmasa të mëdha. Në drejtim të vatrës është nisur edhe mjeti i Delvinës me 3 efektivë si dhe 3 mjete të Finiqit.  Aktualisht në terren po operojnë 6 mjete zjarrfikëse.

Banorë të fshatrave Bregas dhe Shelegar janë bashkuar me ekipet e shpëtimit në terren për të frenuar përhapjen e flakëve, duke luftuar zjarrin me mjete rrethanore në kushtet e një terreni të thyer dhe të vështirë. Madje, banorë të Bregasit i erdhën në ndihmë një zjarrfikësi i cili u lëndua në këmbë pasi rrëshkiti duke e ndrydhur atë, duke mbetur për disa momente i rrezikuar nga afërsia e flakëve. Banorët njoftuan menjëherë ambulancën dhe e transportuan zjarrfikësin nga zona e zjarrit deri te mjeti i urgjencës.

Ndërkohë, përpjekjet për shuarjen e flakëve vijojnë. Në këto momente në ndihmë për shuarjen e zjarrit ka ardhur edhe një helikopter. Flakët nuk kursyen edhe gjallesat përveç bimësisë në zonë, ku në shumë zona gjeje edhe breshka të djegura.