Një konflikt mes katër personave ka ndodhur në lagjen 8 të Korçës, në zonën e njohur si Radaneci.

Sipas të dhënave paraprake, në përleshje janë përfshirë dy vëllezër dhe dy fqinj të tyre. Konflikti dyshohet se ka nisur për motive të dobëta dhe lidhet me fëmijët që po luanin në lagje.

Situata ka degraduar në përleshje fizike, ku dy vëllezërit kanë mbetur të plagosur lehtë në kokë. Ata janë transportuar në spital, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Nuk dihet ende me siguri nëse gjatë konfliktit janë përdorur sende të forta, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Pas marrjes së ndihmës mjekësore, dy vëllezërit, së bashku me dy personat e tjerë të përfshirë në sherr, janë shoqëruar në komisariat për të dhënë deklarimet e tyre.

Fatmirësisht, konflikti nuk ka shkaktuar pasoja të rënda, ndërsa policia vijon hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë.