Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është lexuar deklarata e Shaban Murselit, babait të të pandehurit Naim Murseli, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Deklarata ishte dhënë më 6 dhjetor 2023.

Gjatë shqyrtimit, gjyqtarja Fatime Dormaku pyeti babain e Naimit nëse ka ndonjë dyshim rreth ngjarjes, ndërsa ai u përgjigj:
As nuk e di, as nuk e kam ndonjë dyshim se çka ka mundur të ndodhë në këtë rast.

Ai mohoi gjithashtu që djali i tij të ketë pasur armë. Sakaq procesi gjyqësor do të vazhdojë me administrimin e provave të tjera

Fillimisht ngjarja e ndodhur në fshatin Bërrnicë të Prishtinës u raportua si vrasje si pasojë e grabitjes, por hetimet morën një rrjedhë tjetër, me skenarin e dyshuar se bashkëshorti i saj porositi vrasjen. Atë natë, 29 nëntor 2023, 30-vjeçarja ndodhej në automjet me fëmijët dhe bashkëshortin, Naim Murseli. Ajo u qëllua me plumb në qafë, në prani të fëmijëve të saj. Dyshimet janë se vrasjen e kishte kryer Granit Plava, me urdhër të Murselit i cili i kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK-së.

Ata u arrestuan ditën ku u varros Liridona, ndërsa ajo që e rëndoi këtë ngjarje ishte se vetë bashkëshorti i saj mori pjesë në ceremoninë mortore duke pritur ngushëllimet për vrasjen që ai vetë kishte porositur. Tre të dyshuarit, përfshirë edhe bashkëshortin e të ndjerës, vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Kokalla për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”. Motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë nuk duhet dihet ende, ndërsa në Prokurorinë e Kosovës janë disa pista, të cilat u aluduan gjerësisht në media