Në spitalin “Nënë Tereza”, mbi 400 raste me viroza. Tavo: 18 mjekë, vetëm për emergjencat


Konkursi – Mjekët e rinj merren në punë me konkurs, kriteret e të cilit përcaktohen nga drejtoria e burimeve njerëzore në administratën e QSUT-së


400 pacientë – Brenda një ditë-nate, në kushte normale, mjekët e urgjencës presin nga 200 deri në 250 fëmijë. Në rast kur ka fluks pacientësh, ata presin mbi 400 fëmijë


Urgjenca e pediatrisë do të ketë më shumë mjekë. Nga 8 specialistë që shërbejnë në këtë shërbim do të ketë mbi 15.


Fluksi i pacientëve të vegjël të moshave nga 0 deri në 12 vjeç që paraqiten çdo ditë në këtë shërbim, nga Tirana, rrethinat e saj por edhe nga rrethet, është i papërballueshëm nga 8 mjekë.


Në ndërrimin e stinëve, atëherë kur urgjenca mbushet plot brenda 24 orëve, 8 mjekë vizitojnë e mjekojnë më shumë se 400 fëmijë, ndërkohë që numri i pacientëve që trajtohen në ditë të tjera është nga 200 deri në 250.


Dje, ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, në një vizitë në shërbimin e urgjencës së pediatrisë, ka deklaruar se do të bëhet dyfishimi i mjekëve në këtë shërbim.


Këta mjekë do të punojnë me kontrata të përkohshme, pasi do të qëndrojnë në shërbim vetëm në kohën kur paraqitet fluksi më i lartë i pacientëve, kur ndërrohen stinët apo në muajt e verës.


Por ende nuk janë vendosur modalitetet se si do të merret në punë stafi i ri, kriteret dhe çeljet e procedurave për aplikim.


“Jemi sot këtu, për të parë situatën dhe punën që kryhet nga mjekët dhe stafi në lidhje me shërbimin e urgjencës. Sot, kjo urgjencë përballet me një numër nga 220 deri në 250 raste në ditë, që është një shifër normale për stinën. Por ajo që unë sot premtoj, është se në rastet e pikut, kur ky staf mjekësor mjekon 400 deri në 430 raste në ditë, do të ketë dyfishim të numrit të mjekëve. Pra nga 8 mjekë që punojnë aktualisht, do të jenë 15 ose 16 në mënyrë që të ofrojnë një shërbim të shpejtë dhe të kualifikuar ndaj pacientëve”, u shpreh ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo. Sipas tij, kjo masë, për dyfishimin e stafit mjekësor, do përsëritet sa herë ndryshohen stinët në mënyrë që fëmijët të marrin kujdesin shëndetësor sa më të mirë dhe më të shpejtë.


“Situata aktuale është normale për stinën ku dominante janë rastet me viroza, infeksione respiratore, bronshite”, tha shefi i urgjencës së pediatrisë, Petrit Caca.


Nga drejtoria e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” janë marrë të gjitha masat për furnizimin e shërbimit me të gjitha medikamentet e paketës bazë dhe materialeve të mjekimit.


Sipas QSUT-së, të vegjlit, pasi marrin trajtimin e duhur mjekësor, në rastet e komplikacioneve u referohen shërbimeve, në të kundërt trajtohen në kushte ambulatore. Nga personeli i këtij shërbimi ofrohet shërbim përgjatë 24 orëve, si për Tiranën ashtu edhe rrethinat.


Sakaq, për marrjen në punë të mjekëve të rinj, drejtoria e qendrës spitalore duhet të marrë vendimin për ndryshimin e organigramës, të hapë procedurat e konkursit dhe aplikimit, si dhe të bëjë publike dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzojnë kandidatët, së bashku me kriteret për të qenë mjek në shërbimin e urgjencës së pediatrisë. Lorina Mixha