Rasti i dyshuar i helmimit të një grupi fëmijësh në kopshtin nr. 2 në Korçë ka shkaktuar shqetësim te prindërit dhe familjarët e të vegjëlve.
Mëngjesin e së hënës, prindër dhe gjyshër kanë shoqëruar fëmijët në kopsht, ndërsa kanë shprehur frikën e tyre për atë që ka ndodhur. Ata kërkojnë më shumë qartësi nga institucionet dhe kontrolle të shtuara për të garantuar sigurinë e fëmijëve.
Sipas prindërve, gjatë ditëve të fundit ata nuk janë kontaktuar nga drejtuesit e kopshtit për t’u informuar rreth situatës. Për këtë arsye, një pjesë e tyre janë përpjekur të marrin sqarime pranë ambienteve të kopshtit.
Drejtuesit e institucionit, sipas prindërve, kanë deklaruar se simptomat e shfaqura te fëmijët mund të jenë të lidhura me një virozë të stinës.
Ndërkohë, Drejtoria e ISHP-së ka kryer monitorimin e kopshtit, ku, sipas të dhënave paraprake, kushtet higjieno-sanitare rezultojnë brenda standardeve.
Gjithashtu janë marrë mostra nga ushqimet dhe uji, ndërsa analizat bakteriologjike nuk kanë evidentuar ndotje bakteriale.
Në kuadër të verifikimeve, edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë mostra të ushqimeve dhe i ka dërguar për analiza në ISUV. Rezultatet e këtyre analizave pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të problemeve shëndetësore të raportuara te fëmijët.
