Pengmarrja


Fëmijët, dy orë peng, pasi dyshoheshin se vodhën një pompë uji


Gerti Alla dhe Romeo Malilaj kanë futur me forcë në makinë dy të mitur, dyshonin se ishin hajdutë


Dyshimet se dy vëllezër të mitur u kishin hyrë në shtëpi dhe u kishin vjedhur ka bërë që dy persona të marrin peng adoleshentët dhe t’i keqtrajtojnë për dy orë. Autorët e dyshuar të ngjarjes, të cilët janë arrestuar nga policia, i kanë goditur me shpulla dhe shqelma fëmijët, me qëllim që të pranojnë vjedhjen, por kur nuk ka dalë gjë prej tyre, i kanë lënë të lirë. Menjëherë, të miturit i janë drejtuar policisë për ndihmë, e cila ka bërë arrestimin e të dyshuarve. Ngjarja në fjalë ka ndodhur pasditen e të dielës në qendër të qytetit të Fierit. Ndërkaq, pasi i kanë keqtrajtuar, agresorët i kanë lënë të lirë dy vëllezërit e mitur.


Të arrestuarit


Policia e Fierit deklaroi se ka arrestuar mbrëmjen e të dielës Gerti Allën, 21 vjeç, dhe Romeo Malilajn 19 vjeç, për konsumim të veprës penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” të kryer në bashkëpunim. Sipas njoftimit zyrtar së policisë lokale, dy të rinjtë kanë hipur në makinë kundër dëshirës së tyre dhe i kanë keqtrajtuar dy të miturit A. M. 15 vjeç dhe K. M. 16 vjeç, edhe këta banues në qytetin e Fierit.


Ngjarja


Ka qenë ora 16:30 e pasdites së të dielës, kur dy të prangosurit, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një autoveturë, janë përballur me dy të miturit. Nga burime konfidenciale të policisë mësohet se Alla dhe Malilaj i kanë marrë me forcë dhe i kanë futur në makinë dy vëllezërit e mitur. Dëshmitarë që kanë parë skenën tregojnë se dy të dyshuarit i kishin thirrur fëmijët për të sqaruar diçka, pasi banonin në të njëjtën lagje. Gjatë debatit, nën kërcënim, i kanë futur në makinë dhe i kanë dërguar në një zonë, ku nuk kishte dëshmitarë. Nga burimet e policisë së Fierit mësohet se shkak i pengmarrjes të ketë qenë dyshimi i dy të arrestuarve, se dy të miturit u kishin vjedhur një pompë uji në shtëpinë e njërit prej pengmarrësve. Por, edhe pse kanë ushtruar presion psikologjik dhe i kanë keqtrajtuar, ata nuk kanë arritur të gjejnë pompën e ujit.


Dëshmitë


Sipas deklarimeve të dy vëllezërve të mitur, dy të rinjtë e arrestuar kanë ushtruar presion psikologjik ndaj tyre, si dhe i kanë keqtrajtuar. Pasi i kanë mbajtur për dy orë, duke ushtruar dhunë ndaj tyre, fëmijët nuk e kanë pranuar një gjë të tillë. Në këto kushte, dy të njohurit i kanë lënë të lirë adoleshentët, duke i kërcënuar të miturit që mos të tregonin asgjë. Por, fëmijët e terrorizuar kanë treguar në familje se çfarë kishte ndodhur, kështu që bashkë me prindërit janë paraqitur në polici, duke rrëfyer gjithçka kishte ndodhur. Fëmijët kanë rrëfyer me detaje për oficerin e policisë gjyqësore sesi i kishin marrë peng, ku i kishin dërguar dhe si i kishin keqtrajtuar dy personat, që ishin në moshë më të madhe se ata, por që kishin njohje, pasi jetonin në të njëjtën lagje. Menjëherë pas denoncimit të kryer, policia ka shpallur në kërkim dhe ka shoqëruar agresorët, të cilët nuk kanë pranuar të kenë mbajtur peng fëmijët, apo t’i kenë keqtrajtuar, duke deklaruar se vetëm i kishin pyetur në lidhje me vjedhjen e kryer në banesë.


 


Hetimet


Deklarata – Policia e Fierit deklaroi zyrtarisht se Gerti Alla dhe Romeo Malilaj janë arrestuar për heqje të paligjshme të lirisë së tjetrit


Dëshmitë – Vëllezërit e mitur, përkatësisht 15 dhe 16 vjeç, kanë treguar para policisë dhunën e ushtruar ndaj tyre nga dy banorët e lagjes


Dy orë – Të miturit treguan në prani të prindërve, se dy të arrestuarit i kanë marrë me forcë në makinë dhe i kanë mbajtur peng për dy orë


Pretendimet – Të arrestuarit, gjatë dëshmive të tyre në polici, nuk e kanë pranuar pengmarrjen, por deklaruan se kishin kontaktuar me fëmijët